Krahina e Dumresë numëron 84 liqene. Liqenet e Belshit, me një bukuri të rrallë si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë etj, kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj. Sipërfaqja e përgjithshme e liqeneve është rreth 640 ha, ndërsa aftësia ujëmbajtëse 26 milion m3 ujë.
Ata kanë madhësi dhe thellësi të ndryshme. Liqenet e pafund të Dumresë, kodrat e buta e të valëzuara mund të jenë një shpresë reale për zhvillimin e zonës, si dhe favorizojnë zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Furnizimi me ujë i liqeneve të Dumresë bëhet kryesisht nga rreshjet. Përbërja gjeologjike e formacioneve të pellgut ujëmbledhës është kryesisht gëlqerorë, gipse, dolomite.
Në liqenet e Belshit burimet kryesore të ndotësve janë rrjedhjet nga tokat bujqësore dhe derdhja e mbeturinave ujore të patrajtuara në to. Të gjithë liqenet e marrë në studim kanë premisa për eutrofikim.
Gjithashtu, amoniaku përbën problem për sistemet biologjike në këto liqene. Monitorimi i vazhdueshëm i parametrave kimikë të këtyre liqeneve, duke krijuar edhe lidhje me sistemet biologjike, krijon një bazë të dhënash për hartimin e strategjive të përmirësimit dhe restaurimit të tyre.
Këtu mund të përmendet, trajtimi i mbeturinave ujore urbane, zhvillimi i teknikave bujqësore me impakt sa më të vogël në ekosistemet ujore, hartimi i programeve për rritjen e ndërgjegjes publike, etj. Dy ndër liqenet me problematikën më të madhe mjedisore janë ato të Liqenit të “Gjolit të Gjatë” dhe Liqeni i Belshit i cili ndodhet në qytezën e Belshit./Dumrea.com