Në zonë kultivohen kultura të ndryshme bujqësore si grurë, misër, duhan, perime, vreshtari e frutikulture pasi zona e Dumresa ka kushte te favorshme klimatiko-tokësore për kultivimin e tyre. Gjithashtu mbarshtron edhe bagëti të trasha dhe të imta, derra, shpend dhe bletë për të siguruar produkte për nevojat e veta dhe një pjesë për shitje.
Bujqësia është zhvilluar kryesisht në zonat përreth liqeneve të Dumresë. Për të rritur prodhimin bujqësor, në shumicën e rasteve tokat bujqësore plehërohen me plehëra kimike me përmbajtje nitratesh dhe fosfatesh, pa asnjë konsideratë për efektet e tyre në mjedis.
Si rrjedhojë e kushteve klimatike dhe atyre të përbërjes së tokës, zona e Dumresë është konkuruese kryesisht në prodhimin e ullinjve, duhanit dhe vreshtarisë. Por, mungon zhvillimi i mëtejshëm i ciklit të produkteve pasi ato janë të limituara vetëm në prodhimin e produkteve bazë duke mos kaluar në përpunimin e mëtejshëm të tyre. Përsa i përket problematikave të lidhura me zhvillimin e bujqësisë, ato mund të ndahen në disa aspekte:
– Infrastruktura mbështetëse (kanalizimet e kullimit dhe të ujitjes) janë të dëmtuara në disa raste dhe nuk lejojnë në shfrytëzimin e plotë të tokave bujqësore. Dëmtimi vjen si rezultat i investimeve të pakëta në mirëmbajtje si dhe si rrjedhojë i ndërtimeve në toka bujqësore. Si rrjedhojë e dëmtimit të sistemit të vaditjes, shumë fermerë kanë përzgjedhur opsionin e puseve i cili është edhe më i kushtueshëm dhe jo efiçien;
– Madhësia e fermave është e vogël;
– Aksesi në tregje më të mëdha i produkteve është i limituar, çka krijon probleme në lidhje me të ardhurat e fermerëve. Kjo gjë vjen edhe si rezultat i mungesës së qendrave të grumbullimit dhe të tregjeve rajonale;
– Mungesa e përdorimit të teknologjisë në prodhim. Kjo gjë sjell në zvogëlimin e aftësisë konkuruese të produkteve bujqësore në raport me zona të tilla si Lushnja, fusha e Myzeqesë;
– Mungesa e investimeve në agro-përpunim dhe ndërlidhja më e mirë e prodhimit me tregun;
– Mungesa e promovimit të produkteve bujqësore;
– Mungon ofrimi i këshillimit për fermerët e rinj si dhe trajnimet për ngritjen e kapaciteteve.